KARBURANTET SHTRENJTON SËRISHT, QEVERIA RIKTHEN “GJURMIMIN” E NAFTËS

KARBURANTET SHTRENJTON SËRISHT, QEVERIA RIKTHEN “GJURMIMIN” E NAFTËS

Çmimet e karburanteve në Shqipëri mund të pësojnë rritje të mëtejshme, jo vetëm për shkak të luhatjeve të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, por edhe si pasojë e kostove që mund të shtohen në zinxhirin e tregtimit në vend.

Një prej skemave që pritet të rikthehet nga viti i ardhshëm është “gjurmimi” ose markimi i karburanteve. Këtë herë, ndryshe nga skema e mëparshme, shërbimi pritet të mos menaxhohet përmes një koncesioni privat, por nga një shoqëri shtetërore në ortakëri me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Eksperti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi ngre shqetësimin se çdo kosto e re që i shtohet zinxhirit të tregtimit të karburanteve mund të reflektohet në çmimin final që paguan konsumatori.

“Çdo ndërhyrje që shton kostot në zinxhirin e tregtimit të karburanteve, në një mënyrë ose në një tjetër, ka potencialin të reflektohet në çmimin final. Në këtë rast duhet parë me shumë kujdes mënyra se si do të funksionojë skema e re, kush do ta financojë dhe nëse këto shpenzime do të përballohen nga buxheti i shtetit apo do t’u kalojnë operatorëve të tregut”, deklaroi Sejdarasi.

Markimi i karburanteve konsiston në përdorimin e një pigmenti identifikues, i cili hidhet në karburantin e importuar përpara se produkti të hidhet në treg. Qëllimi i skemës ka qenë identifikimi i karburantit të ligjshëm dhe evidentimi i rasteve kur nafta e tregtuar ishte e përzier ose e lidhur me produkte të pazhdoganuara.

Skema u dha si koncesion gjatë kohës kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike dhe hyri në fuqi në korrik të vitit 2013. Kontrata kishte një afat 10-vjeçar, i cili përfundoi në gusht të vitit të kaluar.

Megjithatë, sipas Sejdarasit, rikthimi i markimit duhet parë edhe në aspektin e efektivitetit të tij në luftën kundër informalitetit.

“Markimi i karburanteve ka pasur si argument kryesor luftën ndaj informalitetit dhe garantimin që produkti që hidhet në treg të jetë i rregullt. Por pa rezultat”, u shpreh ai.

Tashmë, shërbimi synohet të rikthehet nën administrimin e “Alb Trace Co”, ndërsa mënyra se si do të financohet skema dhe nëse kostot do t’u transferohen operatorëve të tregut mbetet një prej çështjeve që mund të ndikojë drejtpërdrejt te konsumatori.

“Problemi që shtrohet sot është nëse rikthimi i kësaj skeme do të sjellë një përfitim real në kontrollin e tregut apo do të krijojë thjesht një kosto tjetër administrative. Për konsumatorin kjo është shumë e rëndësishme, sepse në fund çdo shpenzim i shtuar në këtë sektor ka mundësi të përfundojë në çmimin që paguan qytetari në pikën e karburantit”, tha Sejdarasi.

Shërbimi i markimit, i cili synon garantimin e cilësisë së karburanteve dhe parandalimin e kontrabandës, aktualisht po menaxhohet nga shteti.

Me urdhër të ministrit të Financave është ngritur një grup pune për të kaluar të gjitha asetet e këtij shërbimi nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Rikthimi i skemës vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve janë tashmë të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare dhe çdo kosto e re në sektor mund të ndikojë në çmimin përfundimtar që paguajnë qytetarët.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *