Zgjedhjet për kryetarin e PD-së në Korçë zhvillohen më 3 maj, mes tensioneve, përplasjeve dhe perceptimit të një gare të paracaktuarDega e Partisë Demokratike në Korçë ka njoftuar se zgjedhjet për kryetar të degës do të zhvillohen të dielën, më 3 maj 2026, në selinë e partisë. Për këtë proces janë miratuar si kandidatë Irvin Ilia Bode dhe Harito Llazar Zoto.Megjithatë, procesi zgjedhor po zhvillohet nën hijen e tensioneve të forta të brendshme dhe një klime gjithnjë e më përjashtuese. Në javët e fundit janë raportuar paqartësi rreth listave të kandidatëve, vonesa në zyrtarizimin e emrave dhe refuzime që kanë shtuar dyshimet për mënyrën si po administrohet gara.Në këtë kontekst, refuzimi i kandidaturave të Edmond Çajkut, Hergys Harunit dhe Bravaldi Xhafkës është parë si një sinjal i qartë se procesi po filtrohet politikisht, duke ngushtuar hapësirën reale të konkurrencës. Kjo ka ushqyer perceptimin se gara nuk po shkon drejt një përballjeje të hapur, por drejt një skenari të kontrolluar me kandidatë të seleksionuar paraprakisht.Më tej, në strukturën e PD-së në Korçë po qarkullon edhe perceptimi për ndikimin e KLANIT Mano-Kaso në favor të njërit prej kandidatëve, çka sipas zërave brenda partisë ka krijuar bindjen se rezultati mund të jetë i orientuar që në nisje. Një ndërhyrje e tillë, qoftë reale apo vetëm e perceptuar, e dëmton rëndë besueshmërinë e procesit dhe e kthen garën në një formalitet me fitues të paracaktuar.Po ashtu, janë përmendur edhe debate me ngarkesë fetare dhe përplasje mes grupeve brenda degës, duke e thelluar më tej idenë se zgjedhjet po zhvillohen në një ambient të brishtë, ku uniteti i partisë po vihet në provë nga logjika e mbylljes dhe jo e konkurrencës.Në vend të një procesi që do të sillte rinovim dhe legjitimitet të brendshëm, Korça rrezikon të prodhojë një tjetër garë të tensionuar, ku rezultati duket më shumë i negociuar sesa i fituar.