Real Madrid CF do të zhvillojë për herë të parë pas dy dekadash zgjedhje të mirëfillta për presidentin e klubit.
Është zyrtarizuar tashmë kandidatura e biznesmenit Enrique Riquelme, i cili do të sfidojë presidentin aktual Florentino Perez në zgjedhjet e shpallura pak ditë më parë.
37-vjeçari synon t’i japë fund dominimit të Perezit, i cili drejton klubin madrilen pa kundërshtarë që nga viti 2009. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Florentino ka qenë kandidati i vetëm në garë, duke bërë që anëtarët e klubit të mos kenë nevojë të votojnë.
Hera e fundit kur socios-at e Real Madridit iu drejtuan kutive të votimit ishte në vitin 2006, kur Ramon Calderon u zgjodh president pas largimit të Perezit nga mandati i tij, edhe pse ky i fundit kishte fituar zgjedhjet e vitit 2004 me mbi 91% të votave.
Zgjedhjet e ardhshme pritet të sjellin një përballje të fortë për drejtimin e klubit më të titulluar në Europë.
