Janë zbuluar identitetet e dy shqiptarëve të arrestuar pas ndjekjes episodike nga policia greke në rrugët e Athens, pas plagosjes me armë zjarri të një shtetasi pakistanez.
Sipas raportimeve, në pranga kanë rënë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç, dhe Adi Beqiri, 27 vjeç, ndërsa bashkë me ta është arrestuar edhe një shtetas grek. Një person i katërt ka arritur t’i shpëtojë policisë dhe është shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 të pasdites së djeshme në zonën e Patisias, ku një person hyri në një dyqan telefonash celularë në rrugën “Patision” dhe qëlloi me armë zjarri pronarin e biznesit, me origjinë pakistaneze, duke e plagosur në këmbë.
Pas sulmit, autori u largua me një automjet tip BMW gri, ku e prisnin tre persona të tjerë. I plagosuri u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Policia greke nisi një operacion të gjerë për kapjen e autorëve. Pas një ndjekjeje dinamike, automjeti i dyshuar u lokalizua në rrugën “Tsounta”, pranë bulevardit “Kifissou”, në aksin drejt Lamias.
Gjatë tentativës për t’u arratisur, makina u përplas me tre deri në katër automjete të tjera, para se të ndalohej plotësisht nga forcat e policisë. Në vendngjarje u arrestuan tre persona, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për personin e katërt të përfshirë në ngjarje.
