E ardhmja e Rei Manajt te Sivasspori mbetet e paqartë. Ndryshimet e pritshme në strukturën drejtuese të klubit turk kanë sjellë një periudhë pasigurie për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, ndërsa sulmuesi shqiptar nuk konsiderohet më pjesë e planeve prioritare.
Sipas mediave turke, me ardhjen e drejtuesve të rinj dhe riorganizimin e pritshëm të ekipit, pozicioni i Manajt është dobësuar ndjeshëm. Edhe pse ka qenë një nga pikat më të forta të repartit ofensiv, forma e paqëndrueshme dhe mungesa e vazhdimësisë gjatë sezonit të fundit kanë bërë që drejtuesit të rishikojnë rolin e tij në projektin e ri sportiv.
Sulmuesi lushnjar ka pasur një marrëdhënie të trazuar me Sivassporin. Ai u largua mes polemikash, për t’u rikthyer më pas në skuadër duke treguar gatishmëri edhe për të hequr dorë nga një pjesë e përfitimeve financiare, në mënyrë që të vazhdonte aventurën në Turqi.
Një tjetër faktor që rëndon mbi të ardhmen e tij janë dëmtimet e shumta. Problemet fizike e kanë penguar Manajn të ruajë ritmin dhe të japë maksimumin në mënyrë të vazhdueshme, duke bërë që të mos përmbushë plotësisht pritshmëritë e klubit dhe tifozëve.
Po ashtu, edhe kostoja e lartë e kontratës së tij është kthyer në një çështje diskutimi. Në kuadër të planit për uljen e shpenzimeve dhe krijimin e një ekuilibri më të qëndrueshëm financiar, drejtuesit po shqyrtojnë situatën e disa prej lojtarëve me paga të larta, ku përfshihet edhe emri i Manajt.
Sipas raportimeve, pas formimit të bordit të ri drejtues do të zhvillohet një takim me përfaqësuesit e sulmuesit shqiptar për të diskutuar të gjitha alternativat, nga vazhdimi i bashkëpunimit deri te zgjidhja e mundshme e kontratës në rast se nuk arrihet një marrëveshje e re.
Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret vetëm pasi të jetë stabilizuar plotësisht struktura drejtuese e klubit dhe të jetë përcaktuar projekti sportiv për sezonin e ardhshëm. Deri atëherë, merkatoja pritet të jetë e nxehtë për Rei Manajn, një nga sulmuesit më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare.
Manaj mbetet një nga protagonistët e kuqezinjve në vitet e fundit, ndërsa tifozët kujtojnë ende golin e tij të rëndësishëm në Leskovc ndaj Serbisë, që vulosi fitoren 0-1 të Shqipërisë. Nëse aventura e tij te Sivasspori po shkon drejt fundit, interesi për shërbimet e sulmuesit lushnjar pritet të mos mungojë.
