Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me pensionistët, ka deklaruar se të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës, përmes taksave dhe si pasojë e situatës ndërkombëtare, do të shpërndahen për pensionistët.
Rama u shpreh se këto fonde nuk do të mbahen në buxhet, por do të përdoren për bonuset që do të përfitojnë të moshuarit. “Të gjitha të ardhurat që erdhën nga rritja e çmimit të naftës nga lufta, do t’i merrni ju”, deklaroi ai, duke theksuar se masa nuk lidhet me fushata zgjedhore, por me angazhimet e qeverisë ndaj kësaj shtrese.
Kryeministri shtoi se përfitues të mbështetjes do të jenë edhe personat me aftësi të kufizuara, përfshirë fëmijët me aftësi të veçanta, për të cilët është vendosur dyfishimi i ndihmës ekonomike.
Po ashtu, sipas Ramës, shteti do të marrë përsipër edhe pagesën e sigurimeve për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, si pjesë e paketës së re të mbështetjes sociale.

