Një kronologji për figurat më të rëndësishme të akuzuara nga SPAK deri më tani.

Një kronologji për figurat më të rëndësishme të akuzuara nga SPAK deri më tani.

Debatet rreth hetimeve ndaj ish.zv. kryeministres Belinda Balluku kanë vënë në qendër të vëmendjes përpjekjet e prokurorisë për të shënjestruar korrupsionin e nivelit të lartë, por ajo nuk është politikania e parë që përballet me akuza.Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, SPAK, ka fituar reputacion për hetimin e figurave të profilit të lartë që më parë shiheshin si të paprekshme, duke filluar nga ish-presidentë dhe kryeministra te ministrat, zëvendësministrat dhe zyrtarë të tjerë të lartë.Por, ndërsa hetimet kundër korrupsionit intensifikohen, SPAK po përballet me një sfidë nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, e cila planifikon t’ia kufizojë kompetencat. Partia Socialiste ka parë tashmë shumë prej zyrtarëve të saj të hetohen dhe madje të burgosen, por ajo që ka ndryshuar plotësisht qasjen e saj ndaj SPAK është rasti kundër ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.SPAK lindi nga reforma e madhe në drejtësi që filloi në vitin 2016 me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, si pjesë e përpjekjeve më të gjera të Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Deri së fundmi, qeveria këmbëngulte se nuk do të ndërhynte në çështjet e drejtësisë dhe refuzonte të komentonte mbi zyrtarët që përballeshin me gjyqin, duke thënë se çdo përgjegjësi për shkelje të ligjit ishte rreptësisht personale.Por që kur u ngrit çështja kundër Ballukut, e cila akuzohet për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik, Rama ka propozuar një ligj të ri që nuk do të lejonte SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme të pezullojnë zyrtarët e lartë. Lëvizja është përshkruar nga kritikët si një përpjekje për të kufizuar kompetencat e gjyqësorit, gjë që mund të ketë ndikim në përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, të cilin Rama është zotuar ta realizojë deri në vitin 2030.Kur SPAK i kërkoi parlamentit t’i hiqte imunitetin Ballukut, për të lejuar arrestimin e saj, shumica socialiste e bllokoi atë. Aktivitetet e SPAK kanë zemëruar gjithashtu partitë kryesore të opozitës. Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-President i Shqipërisë, u burgos në tetor 2024 për korrupsion dhe pastrim parash. Sali Berisha, kreu i partisë kryesore opozitare, Partisë Demokratike, është aktualisht në gjyq për korrupsion.Si Meta, ashtu edhe Berisha, i kanë përshkruar akuzat e SPAK kundër tyre si të motivuara politikisht. Migen Qiraxhi nga organizata “Qëndresa Qytetare”, e cila fokusohet te transparenca dhe demokracia, mendon se numri i zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion ose shpërdorim detyre nga SPAK “tregon karakterin endemik të përhapjes së korrupsionit, duke theksuar gjithashtu urgjencën dhe rëndësinë e luftës kundër korrupsionit”.Sipas tij, luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë është jetik për tre arsye kryesore: “Së pari, për të ndërtuar një shoqëri të drejtë; së dyti, për të fituar integrimin në familjen evropiane; dhe së fundi, për t’u mundësuar shqiptarëve të rrisin standardet dhe mirëqenien e tyre”, tha ai për BIRN.Klodiana Lala, një gazetare në Tiranë, e cila raporton për korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe që gjithashtu ka raportuar për BIRN, thotë se trajtimi i korrupsionit zyrtar kushton para dhe ekspertizë njerëzore.“Rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë, janë çështje që kërkojnë investime të jashtëzakonshme, bashkëpunim ndërinstitucional dhe bashkëpunim me partnerët,” tha Lala. “Pra, në këtë drejtim, nëse nuk ka një bashkëpunim thelbësor, këto çështje sigurisht që nuk mund të ecin përpara”, shtoi ajo.Korrupsioni shihet si një pengesë e madhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe perceptohet nga publiku shqiptar si i përhapur gjerësisht, sipas raporteve nga organizata mbikëqyrëse Transparency International dhe OJF-të ndërkombëtare. Më herët këtë muaj, SPAK publikoi raportin e tij për vitin 2025, i cili tregoi një rritje të hetimeve krahasuar me vitin e kaluar. Sipas raportit, nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të vënë nën hetim, 18 raste janë dërguar në gjykatë dhe 10 kanë marrë një vendim përfundimtar.“Ne po punojmë intensivisht për të hetuar dhe ndjekur penalisht të gjithë ata zyrtarë që kanë shpërdoruar detyrën,” tha Klodjan Braho, prokuror në SPAK, gjatë prezantimit të raportit.Këtu është një kronologji e BIRN për figurat më të rëndësishme të akuzuara nga SPAK deri më tani:Sali Berisha, ish-kryeministër i Shqipërisë, kreu i Partisë DemokratikeAkuzat e publikuara: Tetor 2023. Statusi: Në gjykim.Kreu i Partisë Demokratike, ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti Sali Berisha, një figurë që ka dominuar dhe dominon politikën shqiptare, u la në arrest shtëpie për një vit në dhjetor 2023. Ai u vu nën hetim në tetor 2023 së bashku me dhëndrin e tij, i dyshuar për “korrupsion pasiv” që daton në vitin 2008. Akuzat lidhen me një ndryshim ligji të bërë nga qeveria e tij e atëhershme për të lejuar privatizimin e objekteve sportive të shpronësuara nën komunizëm. Prokurorët thonë se ishin një numër ndryshimesh ligjore të bëra nga qeveria e Berishës ato që lehtësuan zhvillimet e biznesit, në të cilat ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kishin një interes financiar. Prokurorët pretendojnë se nga këto ndryshime, Malltezi përfitoi rreth 5.4 milionë euro. Berisha kaloi një vit në arrest shtëpie dhe aktualisht ai duhet të paraqitet rregullisht në prokurori. Berisha i mohon akuzat kundër tij. Ai i ka përshkruar ato si “sulme politike të pabaza” të drejtuara nga Edi Rama dhe të tjerë.Ilir Beqaj, ish-Ministër i ShëndetësisëArrestuar: Korrik 2024. Statusi: Në gjykim.Ish-Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u arrestua në korrik 2024 nën dyshimin e shpërdorimit të fondeve të BE-së. SPAK tha se Beqaj, në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, koordinatori i Shqipërisë për EUSAIR, një institucion i BE-së për Strategjinë në Rajonin e Adriatikut dhe Jonit, kryen procedura fiktive prokurimi në vitet 2022-2023.SPAK tha se të paktën tetë shërbime të prokuruara në kuadër të organizimit të konferencës për të ardhmen e turizmit të qëndrueshëm mjedisor në Shqipëri, FESTA, si dhe një Konference për Energjinë në 2023, “nuk iu nënshtruan një procedure të rregullt prokurimi”. Fituesit “ishin dakordësuar dhe përcaktuar shumë kohë para se të kryhej procedura e prokurimit, e cila u krye në mënyrë fiktive më pas për qëllime dokumentimi dhe pagese”.Beqaj ka qenë më parë deputet i Partisë Socialiste dhe Ministër i Shëndetësisë nga 2013 në 2017. Nga 2021 në 2023, ai drejtoi Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC. Ai po ashtu akuzohet dhe është në gjykim edhe për abuzime me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve dhe sallave kirurgjikale. Koncesioni u dha gjatë kohës që ai ishte ministër. Beqaj i mohon akuzat. “Me sa duket SPAK-ut i mungonin statistikat për hetimin e zyrtarëve të lartë që shpërdoruan fondet e BE-së,” raportohet të ketë thënë ai me sarkazëm.Ilir Meta, ish-Kryeministër dhe ish-President, kreu i Partisë së LirisëArrestuar: Tetor 2024. Statusi: Në gjykim.Ilir Meta, ish-Kryeministër, ish-President, ish-Kryetar i Parlamentit dhe kreu i Partisë së Lirisë (ish-LSI), u arrestua në tetor 2024 me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Meta u zgjodh President i Shqipërisë në vitin 2017 me mbështetjen e Partisë Socialiste. Marrëdhëniet midis LSI-së dhe Socialistëve u përkeqësuan me kohën dhe LSI më vonë u bashkua me Partinë Demokratike në opozitë.Një politikan karriere që hyri për herë të parë në parlament në moshën vetëm 23-vjeçare, Meta ka qenë një nga politikanët më aktivë dhe kontroversë. Meta i ka quajtur akuzat kundër tij të motivuara politikisht, të bazuara “vetëm në gënjeshtra dhe falsifikime”.Monika Kryemadhi, ish-drejtuese e Lëvizjes Socialiste për IntegrimAkuzat e publikuara: Tetor 2024. Statusi: Në gjykim.Monika Kryemadhi, ish-bashkëshortja e Ilir Metës, është ish-deputete dhe ish-drejtuese e LSI-së. Ajo përballet me të njëjtat akuza si ish-bashkëshorti i saj: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim i pasurisë. Kryemadhi nuk është arrestuar, por duhet të paraqitet rregullisht në prokurori. Ajo i ka mohuar akuzat, duke i krahasuar ato me “telenovela”.Jurgis Çyrbja, Deputet i Partisë SocialisteArrestuar: Tetor 2024. Shpallur fajtor dhe dënuar me dy vjet burg në mars 2025.SPAK urdhëroi arrestimin e deputetit socialist, Jurgis Çyrbja në tetor 2024 për korrupsion aktiv lidhur me zgjedhjet e vitit 2021, përkrahje të krimit dhe zbulim të sekreteve shtetërore. Prokurorët thanë se përgjimi i komunikimeve në aplikacionin Sky ECC çoi në zbulimin e “të paktën shtatë rasteve” të zbulimit të sekreteve shtetërore.Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës, ish-ministërArrestuar: Shkurt 2025. Statusi: Në gjykim.Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua në shkurt 2025 për dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Gruaja e tij, Ajola Xoxa, përballet me të njëjtat akuza. SPAK pretendon se Veliaj dhe gruaja e tij krijuan një skemë për të përfituar nga paratë publike përmes aktiviteteve të paligjshme. Veliaj ka mohuar çdo akuzë. “Familja ime dhe unë nuk kemi asnjë lidje me fjalën korrupsion,” shkroi ai.Belinda Balluku, ish-ZëvendëskryeministreAkuzuar: Tetor 2025. Statusi: Hetimi në vazhdim.Belinda Balluku u akuzua në tetor 2025 për ndërhyrje në prokurimet publike në disa projekte për ndërtimin e rrugëve të rëndësishme. Ndonëse Rama e shkarkoi në shkurt, deputetët e PS-së refuzuan më 12 mars kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të saj. Balluku i ka përshkruar akuzat si “insinuata” dhe “gënjeshtra”.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *