Një ngjarje e rëndë ka tronditur Itali, ku një turiste 32-vjeçare nga Kolumbi dyshohet se është rrëmbyer dhe abuzuar seksualisht për tre ditë me radhë në periferi të Romë.
Sipas autoriteteve italiane, gruaja kishte mbërritur në kryeqytetin italian në fillim të muajit maj. Më 19 maj, pranë stacionit të trenit Roma Termini, ajo dyshohet se ka takuar një burrë që e ka afruar me pretekstin e blerjes së drogës.
Pak më vonë, 32-vjeçarja dyshohet se është rrëmbyer dhe është dërguar në një ndërtesë të braktisur në zonën Tor Cervara, në periferi lindore të Romës.
Sipas dëshmisë së viktimës dhe hetimeve paraprake, ajo është mbajtur kundër vullnetit të saj për rreth 72 orë. Gjatë kësaj kohe dyshohet se është abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur nga disa persona, ndërsa është droguar dhe kërcënuar me vdekje.
Autorët dyshohet gjithashtu se i kanë marrë telefonin celular dhe portofolin.
Gruaja arriti të arratisej dhe u pikas në gjendje të rënduar nga një drejtues mjeti kalimtar, i cili e transportoi drejt spitalit. Mjekët konstatuan dëmtime të përputhshme me abuzim seksual dhe njoftuan menjëherë policinë.
Hetimet e autoriteteve çuan në identifikimin dhe arrestimin e pesë personave, të cilët akuzohen për përdhunim në grup me rrethana rënduese.
Policia italiane po vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Gjatë operacionit në godinën ku dyshohet se mbahej 32-vjeçarja, autoritetet identifikuan gjithsej 22 persona që jetonin aty në mënyrë të paligjshme. Për 11 prej tyre janë nisur procedurat administrative të dëbimit, mes tyre edhe pesë të arrestuarit që viktima ka identifikuar si autorët e dyshuar të abuzimeve.
