Lajme inkurajuese vijnë për Neymarin vetëm pak ditë para nisjes së Botërorit. Federata Braziliane e Futbollit ka bërë të ditur se rikuperimi i sulmuesit po ecën sipas planit dhe se gjendja e tij po përmirësohet vazhdimisht.
Sipas njoftimit zyrtar, Neymar iu nënshtrua një rezonance magnetike (MRI) të hënën, ndërsa rezultatet treguan një ecuri pozitive të trajtimit dhe brenda parametrave të parashikuar nga stafi mjekësor.
“Neymar do të vazhdojë procesin e përgatitjes për rikuperim sipas planit të hartuar nga komisioni mjekësor i Kombëtares së Brazilit, pasi gjendja e dëmtimit po përmirësohet dhe po evoluon pozitivisht”, thuhet në deklaratë.
Ky lajm rrit optimizmin në kampin brazilian, i cili shpreson të ketë në dispozicion yllin e tij për ndeshjet e rëndësishme të turneut. Me Botërorin që nis pas pak ditësh, tifozët e Brazilit presin me padurim rikthimin e Neymarit në fushë.
