İstanbul Başakşehir ka nisur lëvizjet konkrete për të siguruar shërbimet e anësorit të Beşiktaş, Milot Rashica, sipas raportimeve nga mediat turke.
Klubi “portokalli-blu” raportohet se është i gatshëm të ofrojë rreth 3.5 milionë euro për kartonin e 29-vjeçarit, i cili është kthyer në një nga objektivat kryesorë të merkatos verore.
Me Nuri Şahin në krye të pankinës, Başakşehir po punon që herët për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, ndërsa Rashica është vendosur në krye të listës së dëshirave të klubit.
Sipas raportimeve, trajneri turk e ka miratuar personalisht afrimin e tij, duke vlerësuar shpejtësinë dhe aftësinë e lojtarit në krahët e sulmit.
Milot Rashica ka kontratë me Beşiktaş deri në vitin 2027, por pritet që së shpejti të nisin negociatat zyrtare mes dy klubeve.
Në sezonin aktual, Rashica ka zhvilluar 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke regjistruar dy gola dhe gjashtë asistime.
