Manchester United ka zyrtarizuar largimin e tre lojtarëve të ekipit të parë, pas përfundimit të kontratave të tyre me klubin. Jadon Sancho, Casemiro dhe Tyrell Malacia nuk do të jenë më pjesë e “Djajve të Kuq” nga sezoni i ardhshëm.
Sancho iu bashkua United nga Borussia Dortmund në vitin 2021, ndërsa Casemiro dhe Malacia mbërritën në “Old Trafford” gjatë verës së vitit 2022. Të tre lojtarët mbyllin kështu një kapitull disa vjeçar me klubin anglez.
Lajmi u konfirmua përmes një komunikate zyrtare të klubit, ku Manchester United falënderoi futbollistët për kontributin e tyre dhe u uroi suksese në të ardhmen. Në deklaratë thuhej: “Të gjithë në klub dëshirojnë të falënderojnë Casemiron, Tyrell Malacian dhe Jadon Sançon për kontributin e tyre te United dhe t’u urojnë atyre çdo të mirë për të ardhmen.”
Mesazhi u shoqërua edhe me sloganin tradicional të klubit: “Një herë i kuq, gjithmonë i kuq”, së bashku me fotografitë e tre lojtarëve.
Përveç ndryshimeve në ekipin e parë, klubi ka konfirmuar edhe largime nga akademia, përfshirë disa lojtarë të rinj, të cilëve gjithashtu u kanë përfunduar kontratat me “Djajtë e Kuq”.
