Liridon Latifi nuk do të jetë më pjesë e Shkëndijës së Tetovës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, ku ka konfirmuar ndarjen me klubin pas dy sezonesh të mbushura me emocione dhe suksese.
32-vjeçari ka falënderuar Shkëndijën për periudhën e kaluar së bashku, duke i dhënë fund një aventure ku ishte një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në skuadër.
“Pas dy viteve të bukura dhe me shumë suksese, ka ardhur momenti të ndahemi. Faleminderit për gjithçka”, ishte mesazhi i Latifit, i cili tashmë është një futbollist i lirë në treg.
Largimi i tij vjen në një ditë ndryshimesh te klubi tetovar, i cili zyrtarizoi Artim Pollozhanin në krye të stafit teknik. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës në karrierën e futbollistit të njohur.
Gjatë periudhës së tij te Shkëndija, Latifi regjistroi 55 paraqitje në kampionat, duke realizuar 11 gola dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës.
Sulmuesi ka një karrierë të pasur edhe në futbollin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Në të kaluarën ai ka veshur fanellat e Tiranës, Vllaznisë dhe Skënderbeut në Superiore, ndërsa ka luajtur gjithashtu për Pushkash Akademi në Hungari dhe Sheriff Tiraspol në Moldavi.
E ardhmja e Liridon Latifit pritet të jetë një nga çështjet më interesante të merkatos, teksa përvoja dhe cilësitë e tij mund të tërheqin interesin e disa klubeve brenda dhe jashtë rajonit.

