Rezultatet e fundit të Milan kanë ndezur alarmet brenda klubit, duke rritur pasigurinë për pjesëmarrjen në UEFA Champions League dhe duke sjellë diskutime për një riorganizim të thellë drejtues.
Sipas raportimeve, pronari i klubit Gerry Cardinale po shqyrton mundësinë e një revolucioni të plotë në strukturën e skuadrës, që mund të përfshijë jo vetëm lojtarët, por edhe stafin drejtues dhe trajnerin.
Në këtë kontekst, në pikëpyetje mund të jetë edhe e ardhmja e drejtorit sportiv Igli Tare, i cili iu bashkua Milanit vetëm verën e kaluar.
Megjithatë, për drejtuesin shqiptar mund të hapet një tjetër mundësi e rëndësishme në futbollin italian. Napoli po ndjek nga afër situatën, pasi e ardhmja e drejtorit aktual sportiv Giovanni Manna është në dyshim, mes interesimit të AS Roma për ta afruar.
Nëse Napoli dhe Milani vendosin të bëjnë ndryshime në strukturat drejtuese gjatë verës, Igli Tare shihet si një nga emrat kryesorë në listën e klubit napolitan, i cili kërkon të ruajë stabilitetin pas suksesit të viteve të fundit në Serie A.
E ardhmja e tij mbetet e hapur, ndërsa merkatoja e verës pritet të sjellë lëvizje të rëndësishme edhe në nivelet drejtuese të klubeve italiane.
