Rayo Vallecano, skuadra ku aktivizohet edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare Ivan Balliu, ka shkruar historinë duke u kualifikuar për herë të parë në finalen e një kompeticioni europian.
Skuadra spanjolle siguroi biletën për në finalen e UEFA Europa Conference League pas një fitoreje 1-0 në transfertë ndaj RC Strasbourg Alsace në “Stade de la Meinau”, duke vulosur kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 2-0.
Në finalen e madhe, Rayo Vallecano do të përballet me Crystal Palace në Leipzig, në një sfidë që konsiderohet historike për klubin modest spanjoll.
Ky sukses ka ndezur edhe garën në La Liga, pasi Spanja përfiton rritje të koeficientit dhe për rrjedhojë pritet të ketë pesë përfaqësues në sezonin e ardhshëm të Champions League, duke e bërë edhe më të fortë garën për zonën europiane në javët e fundit të kampionatit.
