Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se Forca e saj Hapësinore-Ajrore ka goditur dhe shkatërruar bazën ajrore nga e cila, sipas saj, forcat amerikane nisën një sulm ndaj një kulle telekomunikacioni në ishullin Sirik, në provincën iraniane të Hormozganit.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr News Agency përmes një postimi në rrjetin social X. Sipas deklaratës së shpërndarë nga zyra e shtypit e IRGC-së, operacioni u zhvillua vetëm pak orë pas sulmit të pretenduar amerikan ndaj kullës së komunikimit në ishullin Sirik.
“Avionët luftarakë të Forcës Hapësinore-Ajrore të Gardës Revolucionare morën në shënjestër bazën nga ku ishte nisur operacioni dhe e përfunduan me sukses misionin, duke shkatërruar të gjitha objektivat e planifikuara”, thuhet në deklaratë.
Në reagimin e saj, IRGC lëshoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çdo sulm i mëtejshëm do të përballet me një kundërpërgjigje më të ashpër.
“Nëse agresioni përsëritet, përgjigjja do të ketë një shkallë dhe natyrë krejtësisht të ndryshme, ndërsa përgjegjësia e plotë për çdo përshkallëzim do t’i takojë Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Forca Hapësinore-Ajrore e Gardës Revolucionare.
Ishulli Sirik ndodhet në provincën e Hormozganit, në jug të Iranit, pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të naftës.
