Arijon Ibrahimoviç vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve europiane, duke u renditur mes 15 futbollistëve më të përfolur në tregun e transferimeve gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga “Transfermarkt”, mesfushori me origjinë shqiptare është një nga emrat më të ndjekur për sa i përket interesimit të skuadrave në merkaton europiane.
19-vjeçari e kaloi sezonin e fundit në formë huazimi te Heidenheim, ku, pavarësisht rënies së klubit nga kategoria, arriti të spikaste me paraqitjet e tij dhe të tregonte progres të dukshëm në aspektin individual. Performancat e tij kanë bërë që interesimi për të të rritet ndjeshëm, ndërsa e ardhmja mbetet ende e paqartë.
Aktualisht, Bayern Munich nuk duket se e ka përfshirë Arijon Ibrahimoviçin në planet e skuadrës së parë, çka shton mundësitë që ai të largohet sërish në huazim ose të transferohet përfundimisht gjatë merkatos së verës.
Ndërkohë, një tjetër çështje që ngjall interes të madh te tifozët shqiptarë lidhet me të ardhmen e tij në nivel përfaqësuesesh. Duke qenë se ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të Gjermanisë, rregulloret i lënë të hapur mundësinë që futbollisti me rrënjë shqiptare të zgjedhë të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Me talentin dhe potencialin që ka shfaqur deri tani, Arijon Ibrahimoviç pritet të jetë një nga emrat më të diskutuar të kësaj merkatoje, ndërsa vendimi i tij i ardhshëm mund të ndikojë ndjeshëm në karrierën e tij sportive.

