Autoritetet greke kanë çmontuar një skemë të gjerë mashtrimi me receta të falsifikuara ndaj sistemit të sigurimeve shëndetësore EOPYY, e cila dyshohet se ka funksionuar për të paktën gjashtë vjet dhe i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej më shumë se 405 mijë eurosh.
Sipas hetimeve, rrjeti kriminal kishte një strukturë të organizuar dhe hierarkike, ku dyshohet se ishin të përfshirë një psikiatër, një mjek familjeje në shërbim publik, si dhe pronarë dhe administratorë farmacish.
Mediat greke raportojnë se një prej të arrestuarve kishte qenë kandidat për deputet me PASOK në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023.
Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti i paligjshëm kishte nisur në mars të vitit 2020 dhe kishte vijuar deri në prill 2026, duke shfrytëzuar dobësi në sistemin e recetave elektronike.
Sipas autoriteteve, anëtarët e rrjetit identifikonin numrat AMKA të qytetarëve që nuk kishin aktivizuar shërbimin e njoftimeve për recetat elektronike dhe më pas lëshonin receta fiktive pa dijeninë e tyre.
Recetat falsifikoheshin me nënshkrime të rreme, ndërsa barnat ose rimbursoheshin nga EOPYY, ose përdoreshin për përfitime të tjera të paligjshme.
Zbulimi i skemës u bë i mundur pas një ankese të paraqitur nga vetë EOPYY, e cila çoi në një hetim disa mujor dhe në evidentimin e mijëra rasteve të dyshuara të mashtrimit.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të përcaktuar përmasat e plota të dëmit financiar të shkaktuar ndaj sistemit shëndetësor publik.

