Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka vijuar formën e mirë në Major League Soccer, duke realizuar golin e dytë radhazi në kampionat.
Në minutën e 81-të të sfidës, beratasi vulosi fitoren e Austin FC ndaj St. Louis City SC. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe të organizuar që nisi nga duart e portierit, 30-vjeçari depërtoi brenda zonës dhe goditi saktë me të majtën, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe duke çuar topin në rrjetë.
Ky gol konfirmon momentin pozitiv të Uzunit, i cili po bëhet gjithnjë e më vendimtar për skuadrën e tij në fazën sulmuese.
Me këtë fitore, Austin FC ngjitet në vendin e 11-të në renditje, duke grumbulluar 13 pikë në 11 javë kampionat. Ndërkohë, për Uzunin ky ishte goli i katërt në këtë sezon, ndërsa ka kontribuar edhe me një asist, duke dëshmuar rëndësinë e tij në repartin ofensiv të ekipit.
