Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni dhe Enea Mihaj, po shijojnë jo vetëm futbollin në MLS, por edhe kontrata shumë të majme në kampionatin amerikan, i cili po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet dhe shikueshmëri.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në SHBA, më i paguari nga futbollistët shqiptarë në MLS mbetet sulmuesi i Austin FC, Uzuni. Për sezonin 2026, ai përfiton një pagë bazë prej 1.6 milionë dollarësh, ndërsa të ardhurat minimale të garantuara deri në fund të sezonit arrijnë në 2.3 milionë dollarë, pa llogaritur bonuset dhe shpërblimet shtesë.
Shifrat tregojnë një rritje krahasuar me vitin e kaluar, kur Uzuni kishte një pagë bazë prej pak më shumë se 1.5 milionë dollarësh dhe 2.22 milionë dollarë të garantuara.
Edhe mbrojtësi Enea Mihaj po përfiton ndjeshëm te Atlanta United FC. Për vitin 2026, Mihaj paguhet me 1.21 milionë dollarë pagë bazë, ndërsa fitimet e garantuara arrijnë në 1.55 milionë dollarë deri në fund të sezonit. Edhe për të ka pasur rritje krahasuar me një vit më parë, kur përfitonte 1.03 milionë dollarë pagë bazë dhe 1.37 milionë dollarë të garantuara.
Në MLS këtë sezon aktivizohet edhe talenti shqiptar Adri Mehmeti, i cili është bërë pjesë e ekipit të parë të New York Red Bulls. Mesfushori 17-vjeçar përfiton një pagë bazë prej mbi 113 mijë dollarësh në vit, ndërsa ka rreth 159 mijë dollarë të garantuara deri në fund të sezonit.
Megjithatë, duke parë paraqitjet premtuese të tij në javët e para të kampionatit, pritet që vlera dhe paga e Mehemtit të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme.
