Ernest Muçi mund të jetë një nga emrat më të lakuar të merkatos verore, me raportime nga Turqia që flasin për interes të madh ndaj tij pas paraqitjeve të mira me Trabzonspor.
Sipas mediave turke, një ofertë prej rreth 12 milionë eurosh është refuzuar nga klubi, duke e bërë këtë shifër një rekord të ri të ofruar për shërbimet e mesfushorit të Kombëtares shqiptare.
Muçi kishte kaluar më herët për 10 milionë euro nga Legia te Beshiktash, ndërsa Trabzonsporit i kishte kushtuar rreth 9.5 milionë euro për të siguruar kartonin e tij.
Raportimet shtojnë se një tjetër ofertë, që mund të arrijë deri në 15 milionë euro, është ende në lojë, edhe pse emri i klubit të interesuar nuk bëhet publik.
Sezoni i fundit i Muçit në Turqi ka qenë pozitiv, me paraqitje që kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane, të cilat po e shohin si një opsion serioz për të forcuar repartin ofensiv.
E ardhmja e tij mbetet e hapur, ndërsa merkatoja pritet të sjellë zhvillime të reja në ditët dhe javët në vijim.
