Elseid Hysaj ka zyrtarizuar largimin e tij nga SS Lazio, duke mbyllur një aventurë pesëvjeçare me skuadrën italiane.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u transferua te Lazio në vitin 2021 dhe respektoi kontratën deri në fund. Gjatë kësaj periudhe, 32-vjeçari nga Shkodra regjistroi 131 paraqitje, shënoi dy gola dhe dhuroi katër asistime, edhe pse sezonet e fundit rezultuan më të vështira për të.
Në një postim emocionues në rrjetet sociale, Hysaj falënderoi klubin, shokët e skuadrës dhe tifozët për mbështetjen gjatë viteve në Romë.
“Pas pesë vitesh në këtë fanellë, ka ardhur koha për të thënë lamtumirë. Kanë qenë vite intensive, plot emocione, disa momente të bukura dhe të tjera më të vështira, por unë gjithmonë dhashë gjithçka, me profesionalizëm dhe respekt, deri në ditën e fundit.”
Ai rezervoi një falënderim të veçantë për tifozët lacialë:
“Ngrohtësia, pasioni dhe mbështetja juaj kanë qenë të jashtëzakonshme dhe do të qëndrojnë me mua përgjithmonë. Roma do të jetë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime.”
Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i mbrojtësit shqiptar, i cili deri më tani ka luajtur vetëm në futbollin italian.
