Egnatia ka kurorëzuar një tjetër sezon të suksesshëm, duke u shpallur kampione e Shqipërisë për të tretin vit radhazi. Skuadra rrogozhinase dominoi fazën “Final Four”, duke regjistruar tre fitore në po aq ndeshje dhe duke siguruar vendin e parë së bashku me trofeun e kampionatit.
Pas këtij suksesi historik, presidenti i klubit, Agim Demrozi, pritet të mbajë premtimin e bërë ndaj futbollistëve përpara nisjes së fazës finale. Numri një i Egnatias u kishte komunikuar lojtarëve se nëse arrinin të fitonin të tre ndeshjet e “Final Four”, do të përfitonin një premio prej 100 mijë eurosh.
Futbollistët realizuan objektivin e vendosur nga drejtuesit, duke mbyllur me sukses fazën finale dhe duke siguruar jo vetëm titullin kampion, por edhe shpërblimin e premtuar nga presidenti i klubit.
Përveç prestigjit sportiv, triumfi sjell edhe përfitime të konsiderueshme financiare për Egnatian. Klubi do të përfitojë premion e akorduar nga Federata Shqiptare e Futbollit për fituesin e kampionatit, ndërsa një burim i rëndësishëm të ardhurash pritet të vijë edhe nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane, ku kampionët e Shqipërisë do të nisin aventurën e tyre në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.
Me titullin e tretë radhazi, Egnatia konfirmon pozitat e saj si skuadra dominuese e futbollit shqiptar në vitet e fundit dhe synon tashmë të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në arenën europiane.
