FC Dinamo City ka prezantuar zyrtarisht sulmuesin 22-vjeçar Ruben Silva-Richards, i cili i bashkohet skuadrës pas përfundimit të huazimit te FC Ferizaj.
Sipas njoftimit të klubit, marrëveshja është arritur me GD Estoril Praia, ku lojtari ishte pjesë e akademisë dhe ekipit U-23.
Silva-Richards është formuar në futbollin portugez dhe ka eksperiencë edhe në Holandë, ku ka qenë pjesë e ADO Den Haag, ndërsa së fundmi ka aktivizuar me Ferizajn në Kosovë.
“Mirë se erdhe, Ruben Silva-Richards! FC Dinamo ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me klubin portugez Estoril për transferimin e sulmuesit Ruben Silva-Richards. Lojtari 22-vjeçar, i formuar në futbollin portugez dhe me eksperiencë edhe në atë holandez, vjen te Dinamo pas aktivizimit së fundmi me Ferizajn, duke sjellë cilësi, shpejtësi dhe potencial në repartin ofensiv,” thuhet në njoftimin e klubit.
Klubi kryeqytetas i ka uruar mirëseardhje lojtarit dhe ka theksuar objektivat për forcimin e skuadrës në garat europiane dhe në të ardhmen.
Silva-Richards, i cili ka nënshtetësi italiane, kanadeze dhe portugeze, shihet si një profil interesant për repartin ofensiv të Dinamos.

