KF Besëlidhja Lezhë po e merr shumë seriozisht ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, me synimin që rikthimi në Kategoria e Parë të shoqërohet me objektiva ambiciozë dhe jo vetëm me sigurimin e mbijetesës.
Klubi lezhjan ka prezantuar përforcimin e radhës në merkato. Bëhet fjalë për mesfushorin nigerian Joel Osikiel, i cili sezonin e kaluar u aktivizua me KF Burreli dhe KF Iliria.
Osikiel bëhet kështu afrimi i katërt zyrtar i Besëlidhjes gjatë kësaj vere. Më herët, verdhekuqtë kishin prezantuar edhe Lorenc Trashi, Stivian Janku dhe Patrik Fetaj, duke forcuar fillimisht repartin e mbrojtjes.
Tashmë drejtuesit kanë zhvendosur vëmendjen te mesfusha, me Osikiel që pritet të sjellë më shumë balancë dhe eksperiencë në këtë repart.
Klubi e zyrtarizoi afrimin e lojtarit përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ndërsa kjo lëvizje konfirmon edhe njëherë ambiciet e Besëlidhjes për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe pretendente në sezonin e ardhshëm.
