Masat e sigurisë rreth Kuvendit janë forcuar ndjeshëm përpara nisjes së seancës plenare dhe tubimit të paralajmëruar të protestuesve.
Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës së Pedonales, Policia e Shtetit ka vendosur në terren edhe mjete të rënda për menaxhimin e turmave. Pranë ambienteve të Parlamentit janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë, si dhe një autobot uji, i përdorur zakonisht në raste të përshkallëzimit të situatave protestuese.
Forcat e policisë kanë shtuar prezencën në zonë, ndërsa hyrjet dhe perimetri përreth Kuvendit po monitorohen nga efektivë të shumtë.
Këto masa të shtuara sigurie vijnë pas tensioneve të regjistruara gjatë protestave të mëparshme, ndërsa autoritetet janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e seancës plenare dhe ruajtjen e rendit publik gjatë tubimit të paralajmëruar për orën 10:00.
Ndërkohë, protestuesit kanë njoftuar se do të mblidhen para Parlamentit për të shprehur qëndrimet dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë.

