Ish-mbrojtësi i njohur brazilian Ricardo Rocha është arrestuar në aeroportin e Rio de Zhaneiros teksa po përgatitej të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara për të ndjekur Botërorin si opinionist televiziv.
63-vjeçari, i njohur edhe me nofkën “Sherifi”, është ndaluar nga policia për shkak të një vendimi gjyqësor familjar në shtetin Ceará, që lidhet me mospagesën e një detyrimi financiar prej rreth 403 eurosh.
Sipas autoriteteve, ndaj tij ekzistonte një urdhër gjykate për mosshlyerje të detyrimeve, të cilat dyshohet se lidhen me mbështetjen financiare për një fëmijë. Ai mund të përballet me një periudhë ndalimi deri në 45 ditë, nëse çështja nuk zgjidhet ose nëse nuk ka urdhra të tjerë gjyqësorë.
Rocha, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube të njohura si Real Madrid, São Paulo, Santos, Flamengo dhe të tjera, ka qenë një figurë e njohur e futbollit brazilian dhe më pas i angazhuar si analist sportiv.
Rasti ka tërhequr vëmendje në Brazil, pasi ish-futbollisti është përfolur prej kohësh edhe për çështje familjare dhe detyrime të shumta të pazgjidhura.
