Aktorja e njohur nga seriali “Game of Thrones”, Hannah Murray, ka folur për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, duke zbuluar se ka kaluar një krizë të rëndë psikologjike dhe më vonë është diagnostikuar me çrregullim bipolar.
Në një intervistë për “The Guardian”, Murray ka treguar se gjendja e saj mendore u përkeqësua gjatë periudhës së xhirimeve të filmit “Detroit” në vitin 2017, kur u njoh me një person që prezantohej si “shërues energjie”. Sipas saj, ajo e përjetoi fillimisht këtë eksperiencë si një formë qetësimi emocional, por gradualisht u përfshi më thellë në praktika të ndryshme të lidhura me spiritualitetin dhe terapi alternative.
Aktorja shpjegon se besimi i tepruar ndaj personave që e afruan me këtë grup ndikoi në përkeqësimin e gjendjes së saj mendore, deri në përjetimin e episodeve maniake dhe humbjen e kontaktit me realitetin.
Ajo ka rrëfyer gjithashtu një episod në Londër, ku përjetoi një krizë të rëndë psikologjike, duke besuar se kishte një “mision të veçantë” dhe se mund të ndryshonte botën.
Murray thotë se sot e sheh atë periudhë si një përvojë shqetësuese dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin mendor dhe rrezikun e manipulimit psikologjik. Përmes një libri autobiografik, ajo kërkon të theksojë se problemet e shëndetit mendor mund të prekin këdo, pavarësisht profesionit apo statusit social.
