Aktorja e njohur franceze Isabelle Adjani është shpallur fajtore nga Gjykata e Apelit në Paris për evazion fiskal dhe pastrim parash, duke u dënuar me 10 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh.
Vendimi i sotëm vjen si rigjykim i çështjes, ku gjykata ka dhënë një dënim më të lehtë krahasuar me vendimin e shkallës së parë në vitin 2023, kur ajo ishte dënuar me dy vite burg me kusht dhe një gjobë prej 250 mijë eurosh.
Sipas gjykatës, Adjani është gjetur fajtore për deklarim të rremë të vendbanimit në Portugali gjatë viteve 2016–2017, fshehje të një huaje të vitit 2013 dhe transferim të parave drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2014.
Gjatë procesit, aktorja 71-vjeçare ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka aftësi për çështje financiare dhe se është “viktimë e mashtrimeve”, ndërsa mbrojtja e saj ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës së Kasacionit.
Prokuroria franceze, nga ana tjetër, ka argumentuar se interesat kryesore të aktores ndodhen në Francë, ndaj ajo ishte e detyruar të deklaronte të ardhurat në këtë shtet.

