Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, ku një djalë 4-vjeçar u gjet i pajetë në banesën e tij në zonën e Wyong, në veri të Sidneit. Autoritetet kanë arrestuar nënën e fëmijës, 32 vjeç, e cila akuzohet për vrasje, ndërsa hetimet po vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Sipas mediave australiane, gruaja u paraqit vetë në një komisariat policie të shtunën, duke ngritur shqetësime për gjendjen e fëmijës. Pas kësaj, policia kreu kontrolle në banesën ku u gjet trupi i pajetë i 4-vjeçarit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se skena e hasur nga ekipet e ndërhyrjes ishte jashtëzakonisht e rëndë, aq sa disa efektivë policie dhe pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës kanë marrë mbështetje psikologjike pas ndërhyrjes.
Policia konfirmoi se fëmija kishte pësuar lëndime të rënda, ndërsa po hetohen të gjitha pistat e mundshme që lidhen me ngjarjen. Zyrtarët nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e plagëve apo mbi elementë të tjerë të hetimit.
“Jam i përgatitur të them publikisht se ishte një skenë që shkaktoi një tronditje të jashtëzakonshme. Është konfirmuar se fëmija kishte lëndime, por nuk do të spekuloj më tej për natyrën e tyre”, deklaroi një inspektor i policisë gjatë një konference për mediat.
Gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, është akuzuar për vrasje dhe dhunë në familje. Hetuesit kanë sekuestruar gjithashtu automjetin e saj dhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa fqinjët kanë deklaruar se nuk kishin vënë re shenja që mund të paralajmëronin një tragjedi të tillë. Sipas raportimeve, nëna dhe djali ishin zhvendosur në banesën me qira në fillim të këtij viti, pas një incidenti të dyshuar të dhunës në familje me një ish-partner të gruas.
Gjykata i ka refuzuar 32-vjeçares lirimin me kusht, ndërsa seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar të zhvillohet më 1 shtator. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

