Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur hapjen e garës për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili do të pasojë në këtë detyrë Olsian Çelën. Vendimi për nisjen e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve është miratuar unanimisht në mbledhjen e së enjtes.
Sipas ligjit, duke nisur nga e premtja dhe për një afat 30-ditor, kandidatët e interesuar mund të shprehin interesin duke depozituar kërkesë me shkrim pranë KLP-së, së bashku me dokumentacionin përkatës.
Kriteret për kandidim përfshijnë, ndër të tjera, të paktën 15 vite përvojë si jurist i spikatur, statusin e magjistratit, mosmbajtjen e funksioneve politike në 10 vitet e fundit, si dhe pastërti të figurës dhe pasurisë. Po ashtu, kandidatët nuk duhet të kenë qenë pjesë apo bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit para vitit 1990, apo bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.
Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, një komision i posaçëm do të verifikojë plotësimin e kushteve ligjore dhe do të vijojë me shqyrtimin e dokumentacionit, duke kërkuar raportime nga institucione të ndryshme shtetërore.
Në fund të procesit, KLP do të rendisë kandidatët dhe do t’i propozojë Kuvendit tre emrat e renditur më lart për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Olsian Çela u emërua më herët në këtë detyrë pas propozimit të KLP-së në vitin 2019, kur ishte renditur i pari në listën me tre kandidatë.

