Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike me fokus “Shërbimi Publik për një Shqipëri Europiane”, ka komentuar edhe protestën e zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit.
Rama u shpreh se “ka shumë për të reflektuar nën atë koren e zezë që është pjesa e dukshme”, duke shtuar se qeveria po analizon të gjitha episodet që, sipas tij, lidhen me reagime qytetare.
Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk kufizohet vetëm te ndëshkimi penal, por duhet të mbështetet nga një sistem institucional që funksionon në mënyrë të qëndrueshme.
“Lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm çështje burgu. Duhet që sistemi të të mbrojë. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është se sistemi për herë të parë po lufton me korrupsionin dhe jo voluntarizmi”, deklaroi Rama.
Sipas tij, procesi i forcimit të shtetit dhe institucioneve kërkon kohë, durim dhe hapa të qëndrueshëm, jo reagime të menjëhershme apo “episode të zhurmshme”.
Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria ka një mundësi të veçantë për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe inteligjencës artificiale, të cilat, sipas tij, mund të përshpejtojnë procesin e modernizimit të administratës publike.
Rama theksoi se vendi ndodhet ende në një fazë të hershme të këtij transformimi, por synon të përmbushë standardet e Bashkimit Evropian në administratën publike, si pjesë e procesit të integrimit europian.

