Presidenti i Donald Trump deklaroi të enjten se është “qesharake” që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë marrëdhënien e tyre “të njëanshme” me NATO-n, vetëm pak ditë përpara samitit të Aleancës që do të mbahet në Ankara.
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump u shpreh se aleatët e NATO-s “nuk ishin aty për ne”, duke argumentuar se marrëdhënia mes Uashingtonit dhe aleancës ushtarake “nuk është reciproke”.
Presidenti amerikan ka përsëritur vazhdimisht kritikat ndaj vendeve evropiane anëtare të NATO-s, duke i akuzuar ato se nuk kontribuojnë mjaftueshëm në mbrojtjen kolektive dhe se mbështeten në mënyrë disproporcionale tek SHBA-ja. Ai ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për qëndrimet e aleatëve evropianë në raport me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe luftën në Iran.
Trump ka këmbëngulur se Evropa duhet të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së saj, ndërsa Uashingtoni ka ndërmarrë hapa për të reduktuar disa prej angazhimeve të tij ndërkombëtare.
Në postimin e publikuar në Truth Social, presidenti amerikan ndau edhe një grafik mbi shpenzimet e mbrojtjes në NATO, ku SHBA-ja paraqitet si kontribuuesi më i madh financiar krahasuar me vendet e tjera anëtare.
Nën presionin e administratës Trump, liderët e NATO-s ranë dakord vitin e kaluar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Samiti i ardhshëm i NATO-s, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e 32 shteteve anëtare, është planifikuar të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.
Aleanca e NATO-s, e themeluar në vitin 1949, ka qenë për dekada shtylla kryesore e sigurisë euroatlantike, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në Evropë dhe në konsolidimin e ndikimit global të Shteteve të Bashkuara.

