Media prestigjioze franceze “France 24” i ka kushtuar një artikull të veçantë protestave në Shqipëri, të cilat kanë hyrë tashmë në muajin e dytë, duke i cilësuar ato si një shprehje të pakënaqësisë së gjerë qytetare ndaj korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes në vend.
Sipas raportimit të publikuar për zhvillimet e 2 korrikut, kundërshtimi fillestar ndaj projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar në një lëvizje me karakter të qartë politik. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence lidhur me projektin.
“France 24” thekson se protesta, e nisur në fund të muajit maj kundër ndërtimit të një hoteli luksoz në jugperëndim të vendit, projekt i lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, ka kaluar tashmë kufijtë e një kauze mjedisore, duke u kthyer në simbol të pakënaqësisë popullore ndaj korrupsionit.
Për të dytën herë brenda një jave, qindra qytetarë u mblodhën para Kuvendit të Shqipërisë në përpjekje për të bllokuar hyrjen e deputetëve në godinë, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm të protestave. Deri pak javë më parë, tubimet ishin zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore.
Duke cituar gazetarët e AFP-së në terren, media franceze raporton se policia përdori gaz lotsjellës, spraj piper dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën, pasi protestuesit tentuan të çanin kordonin e sigurisë. Sipas raportimit, disa protestues u panë gjithashtu duke dëmtuar një automjet policie të parkuar pranë zonës së protestës.
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit lanë pas të lënduar dhe persona të shoqëruar nga të dyja palët, ndërsa vëmendja ndërkombëtare ndaj situatës politike në Shqipëri vijon të rritet.

