5 pacientë që ishin paraqitur koshientë dhe në gjendje më të stabilizuar janë larguar nga spitali pas trajtimit mjekësor, duke u cilësuar jashtë rrezikut për jetën, me këshillë të mjekëve. Gjithashtu, pritet që edhe një pacient tjetër të dalë nga spitali gjatë ditës, në gjendje të stabilizuar.
Një i mitur 8-vjeçar ndodhet në Reanimacionin e SUT, me parametra jetësorë stabël. Në të njëjtin repart ndodhet edhe një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeçe, e cila po monitorohet intensivisht. Ajo paraqitet me parametra stabël, por mbetet në gjendje të rëndë për shkak të dëmtimeve të shumta të marra.
Ndërkohë, një 14-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në pavion, nën kujdesin e stafit mjekësor, për shkak të dëmtimeve në gjymtyrët e poshtme.
Sa i përket pacientëve të tjerë që vijojnë të qëndrojnë në observim në Urgjencë dhe që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, gjendja e tyre raportohet e stabilizuar. Ata do të vijojnë të mbeten nën monitorim intensiv, përfshirë edhe një 20-vjeçare me nënshtetësi çeke dhe origjinë vietnameze.

