Protestat që po zhvillohen prej 31 ditësh në Tiranë kanë marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. E përditshmja zvicerane Aargauer Zeitung i ka kushtuar një analizë të gjerë lëvizjes protestuese në Shqipëri, duke e trajtuar përmes një formati pyetje-përgjigje mbi shkaqet e protestës, projektin e kontestuar dhe reagimin e qeverisë.
Sipas medias zvicerane, prej javësh mijëra qytetarë mblidhen çdo mbrëmje në kryeqytet për të protestuar kundër një projekti të konsideruar luksoz dhe të debatueshëm nga organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Në analizë theksohet edhe simbolika e protestës, ku flamingot rozë prej shkume, të përdorura nga protestuesit gjatë marshimeve, janë shndërruar në një element identifikues të lëvizjes, e cila tashmë është pagëzuar në rrjetet sociale si “Revolucioni i Flamingove”.
Media zvicerane e përshkruan këtë si një formë të re të shprehjes qytetare, ku simbolika vizuale dhe pjesëmarrja e vazhdueshme kanë krijuar një identitet të veçantë të protestës, e cila po vijon të tërheqë vëmendje edhe jashtë vendit.

