Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 84 mijë lekë gjatë vitit 2025, nga 77.4 mijë lekë që ishte një vit më parë. Megjithatë, diferencat mes sektorëve mbeten të mëdha, me disa profesione që paguhen më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe të analizuara nga revista Monitor, institucionet ndërkombëtare vijojnë të kryesojnë listën e punëve më të paguara në vend. Punonjësit në këtë sektor kanë përfituar mesatarisht 189 mijë lekë në muaj gjatë vitit 2025, ose rreth 2 mijë euro, duke shënuar një rritje prej 4% krahasuar me një vit më parë.
Në vendin e dytë renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Punonjësit e bankave dhe kompanive të sigurimeve kanë marrë mesatarisht 160 mijë lekë në muaj, me një rritje prej 6.7% ose mbi 10 mijë lekë më shumë se në vitin 2024, duke regjistruar rritjen më të madhe të pagës në vlerë absolute.
Ndër sektorët më të mirëpaguar vijon të jetë edhe teknologjia e informacionit dhe komunikacioni. Punonjësit e IT-së u paguan mesatarisht me 127.4 mijë lekë në muaj gjatë vitit 2025, ose rreth 10 mijë lekë më shumë se një vit më parë.
Në vendin e katërt renditet industria nxjerrëse, ku paga mesatare arriti në 109 mijë lekë në muaj, ndonëse sektori shënoi një rënie prej afro 3% krahasuar me vitin 2024.
Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike kanë njohur gjithashtu një zgjerim të ndjeshëm, me një pagë mesatare prej 105 mijë lekësh në muaj, ndërsa administrata publike dhe sektori i mbrojtjes kapërcyen për herë të parë nivelin e 100 mijë lekëve, duke arritur në 104.5 mijë lekë në vitin 2025.
Rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe në sektorin e energjisë, ku paga mesatare arriti në 102.7 mijë lekë, si dhe në arsim, ku mësuesit për herë të parë iu afruan pragut të 100 mijë lekëve, me një mesatare prej 99.3 mijë lekësh në muaj.
Edhe sektori i shëndetësisë ka njohur rritje të vazhdueshme vitet e fundit, me pagën mesatare që arriti në 92 mijë lekë në 2025, nga 68 mijë lekë në vitin 2022.
Nga ana tjetër, sektorët me pagat më të ulëta mbeten akomodimi dhe shërbimet e ushqimit, pavarësisht rritjes së kërkesës për punonjës në turizëm, si dhe bujqësia, që vijon të ketë nivelin më të ulët të të ardhurave në vend.
10 sektorët me pagat më të larta në Shqipëri në vitin 2025:
- Institucionet ndërkombëtare – 189 mijë lekë
- Aktivitetet financiare dhe sigurimet – 160 mijë lekë
- Informacioni dhe komunikacioni (IT) – 127.4 mijë lekë
- Industria nxjerrëse – 109 mijë lekë
- Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike – 105 mijë lekë
- Administrimi publik dhe mbrojtja – 104.5 mijë lekë
- Energjia elektrike, gazi dhe avulli – 102.7 mijë lekë
- Arsimi – 99.3 mijë lekë
- Shëndetësia dhe shërbimet sociale – 92 mijë lekë
- Pasuritë e paluajtshme – 84 mijë lekë.
Burimi: Monitor

