Një telefon “iPhone 11”, i sekuestruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) gjatë hetimeve ndaj zyrtares së lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi, është kthyer në një provë kyçe për SPAK-un në hetimin që lidhet me një vilë luksoze në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, e cila dyshohet se përdorej nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Sipas dokumenteve hetimore të publikuara nga gazetari Elton Qyno, ekspertimi i telefonit në tetor 2024 zbuloi komunikime elektronike mes Viola Haxhiademit dhe motrës së saj, Dorela Haxhiademi, ku përmendet një njësi banimi në kompleksin “White Rocks”.
Në një e-mail të datës 13 shkurt 2018, Viola Haxhiademi i dërgon motrës së saj fotografi dhe planimetri të vilave në kompleks, duke i shpjeguar se “Bela” dispononte vilën F-5, ndërsa familja e tyre vilën F-6. Sipas hetuesve, komunikimi konsiderohet një nga provat që lidhen me identifikimin e pasurive në këtë kompleks.
SPAK dyshon se vila F-6 mund të jetë përfituar në mënyrë korruptive në këmbim të favorizimeve në procedurat e prokurimit të zhvilluara në Albcontrol gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Balluku.
Sipas dosjes hetimore, procedura në fjalë lidhet me tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol. Prokuroria pretendon se janë krijuar avantazhe dhe privilegje për kompaninë fituese Eurocol, administruar nga Pandeli Carapuli, ndërsa përfitimi i parregullt dyshohet të ketë konsistuar në vilën F-6 në kompleksin “White Rocks”.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime mes biznesmenëve Pandeli Carapuli dhe Fejzi Kodra, të cilat sipas SPAK tregojnë njohje paraprake të procedurave të prokurimit përpara publikimit zyrtar të tyre.
Në dosje përmenden edhe disa kontrata porosie për vilën F-6. Fillimisht ajo rezulton e kontraktuar nga Igli Tare në vitin 2018, ndërsa më pas figuron edhe në kontrata të lidhura me familjen Haxhiademi. Sipas SPAK, vila vijon të jetë formalisht në pronësi të kompanisë Eurocol, pasi nuk është kryer likuidimi i plotë i shumës së kontraktuar dhe pronësia nuk është transferuar ende në regjistrat zyrtarë.
Prokuroria pretendon se provat e mbledhura deri tani krijojnë dyshime se vila është përdorur nga Belinda Balluku, ndërsa hetimet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave vijojnë. Nga ana tjetër, pretendimet e SPAK mbeten pjesë e hetimit dhe do t’i nënshtrohen vlerësimit gjyqësor në fazat e mëtejshme të procesit.
Burimi: Syri.net

