Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar urdhër-arreste për 10 anëtarë të dyshuar të një rrjeti të organizuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash përmes investimeve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka trafikuar gati 50 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës gjatë periudhës 2019–2021, duke krijuar një pasuri të përllogaritur mbi 150 milionë euro.
Nga dhjetë masat e sigurisë “arrest në burg”, policia ka arritur të arrestojë vetëm Florjan Musajn, ndërsa dy persona të tjerë po kërkohen në Shqipëri. Shtatë të dyshuarit e tjerë ndodhen jashtë vendit dhe po bashkëpunohet me autoritetet ndërkombëtare për lokalizimin e tyre.
Sipas dosjes hetimore të drejtuar nga prokurorët Klodian Braho dhe Doloreza Musabelliu, një nga figurat kryesore të dyshuara është Shpëtim Aliu, i njohur edhe si “Salvadore”, i dyshuar si furnitor në rrjetin ndërkombëtar të kokainës. Në listën e personave në kërkim përmenden edhe Dritan Gjika, Eldi Dizdari (i njohur si Denis Matoshi) dhe Armando Pacani.
Hetimet kanë dokumentuar pesë episode kryesore trafiku, ku janë sekuestruar ose tentuar të trafikohen rreth 8.9 ton kokainë, përfshirë një ngarkesë të vetme prej 4.1 tonësh.
Paratë e përfituara dyshohet se janë futur në Shqipëri në cash dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar 266 pasuri të paluajtshme, përfshirë vila, hotele dhe apartamente, si dhe 209 llogari bankare.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka theksuar rëndësinë e goditjes së aseteve kriminale, duke deklaruar se ato dëmtojnë ekonominë e ligjshme dhe financojnë aktivitetet e krimit të organizuar.
Sipas tij, synimi i institucioneve është sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive me origjinë kriminale, ndërsa garantohet se nuk do të preken pronat e ligjshme të qytetarëve apo bizneseve që veprojnë në mënyrë të rregullt.

