Diar Halili nuk do të jetë më pjesë e Tiranës. Qendërmbrojtësi 22-vjeçar ka mbyllur aventurën gjashtëmujore me bardheblutë dhe do të rikthehet te Prishtina, klubi që zotëron kartonin e tij.
Halili ishte huazuar te Tirana gjatë merkatos së dimrit, ku arriti të fitonte një vend të rëndësishëm në formacion. Pas përfundimit të sezonit, mbrojtësi do të rikthehet në Superligën e Kosovës, aty ku do të punojë sërish nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi.
Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytet, futbollisti fitoi besimin e stafit teknik dhe u shndërrua në një element të rëndësishëm të repartit difensiv. Me fanellën bardheblu, ai regjistroi 19 paraqitje zyrtare dhe arriti të shënonte edhe një gol, pikërisht në përballjen ndaj Egnatias.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Halili ka falënderuar klubin dhe tifozët për mbështetjen e marrë gjatë kësaj periudhe.
“Faleminderit të gjithë klubit Tirana dhe tifozëve Fanatics për këtë kohë kaq të bukur që kaluam së bashku, gjithmonë do jeni në zemrën time”, shkroi ai.
Tashmë, mbrojtësi i talentuar përgatitet për një kapitull të ri me Prishtinën, me synimin për të vazhduar rritjen dhe për të dhënë kontributin e tij në objektivat e skuadrës kosovare.

