Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se vetëm pas certifikimit të rezultateve do të mund të nisin diskutimet për hapat e ardhshëm politikë dhe institucionalë.
“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm”, është shprehur Kurti.
Ai ka nënvizuar se Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e saj të koalicionit parazgjedhor, ka dalë fituese e qartë nga procesi zgjedhor.
“Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme bashkë me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor. Ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, deklaroi ai.
Kurti u shpreh optimist edhe për procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të Qeverisë”, tha ai.
Duke komentuar procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së ardhshme të Kosovës, Kurti theksoi se kjo çështje kërkon domosdoshmërisht bashkëpunim me opozitën, për shkak të kërkesave kushtetuese për sigurimin e numrit të nevojshëm të votave.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ju e dini që këtë duhet bërë në bashkëpunim me opozitën për shkak të asaj kërkese të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade, që kërkohen 80 deputetë t’i kenë votat e tyre të fshehta në kuti. Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm, jemi të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim, por kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë”, përfundoi Kurti.
