Bernardo Silva është shumë pranë një transferimi të bujshëm te Real Madrid, në një lëvizje që konsiderohet kthesë e papritur në merkato.
Mesfushori portugez, 31 vjeç, i cili mund të aktivizohet si në mesfushë ashtu edhe në sulm, ishte më parë shumë pranë një kalimi te FC Barcelona, ndërsa interes për të kishte shfaqur edhe Atlético Madrid. Megjithatë, zhvillimet e fundit e kanë zhvendosur garën në favor të Real Madridit.
Sipas raportimeve, agjenti i lojtarit, Jorge Mendes, ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociata, ndërsa ndryshimet në stolin teknik të Real Madridit dhe ardhja e mundshme e një trajneri të ri kanë ndikuar në vendimin e lojtarit për të zgjedhur Madridin.
Bernardo Silva pritet të mbyllë kështu një epokë të gjatë te Manchester City, ku ka kaluar plot 9 vite dhe ka zhvilluar 460 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke u kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të klubit anglez.
Transferimi i tij, nëse finalizohet, do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos verore në futbollin evropian.
