Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Rrjeti”, duke goditur një grup të rrezikshëm kriminal që dyshohet se merrej me tregtimin e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve luftarake në zona të ndryshme të Tiranës.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, dhe ka çuar në arrestimin e 4 shtetasve, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë identifikuar si: Marsel Varka, 35 vjeç; Elsaed Maqinaj, 25 vjeç; Fabian Zako, 29 vjeç; dhe Kristaq Biba, 32 vjeç. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Kevin Vila, 21 vjeç dhe Bledar Avdillari, 28 vjeç.
Sipas policisë, gjatë kontrollit janë sekuestruar 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), si dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak. Hetimet tregojnë se grupi vepronte i organizuar dhe siguronte armatime e lëndë plasëse, të cilat më pas i shpërndante në pika të ndryshme të kryeqytetit.
Në total, hetimi i shtrirë në kohë ka çuar në arrestimin e 9 personave dhe sekuestrimin e 17 armëve të zjarrit, 4 kallëpe tritoli, një sasi të madhe municioni, 4 automjete dhe 13 aparate celularë.
Policia bën me dije se personat e arrestuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me 5 shtetas të tjerë të ndaluar më herët, duke krijuar një rrjet të mirëorganizuar kriminal që përbënte rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike në kryeqytet.
