Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të martë në Vlorë, ku tre automjete janë përfshirë në një përplasje të fortë që më pas ka çuar edhe në përfshirjen e tyre nga flakët.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz” me targa AB 248 EB, një “BMW” me targa AB 291 EF dhe një “Seat” me targa AB 679 NY.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip “BMW”. Ngjarja ka qenë e rëndë për shkak të intensitetit të goditjes dhe shpërthimit të zjarrit që përfshiu mjetet menjëherë pas aksidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit “Benz” dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe lëvizje me shpejtësi e një prej automjeteve të përfshira në ngjarje.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.
