Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Shkodra ndaj kritikave dhe akuzave të protestuesve kundër qeverisë, gjatë një aktiviteti të mbajtur me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, Rama mbrojti punën e qeverisë, duke theksuar se Shqipëria ka pësuar ndryshime të thella krahasuar me dekadat e kaluara. Ai pranoi se jo gjithçka është bërë në mënyrë të përsosur, por hodhi poshtë akuzat ekstreme ndaj qeverisë.
“Ne jemi vërtet një forcë që nuk kemi asnjë arsye të pretendojmë se kemi bërë çdo gjë mirë, por askush nuk mund të dalë dhe të thotë që ne jemi tradhtarë apo shkatërrimtarë,” u shpreh ai, duke sjellë në vëmendje edhe menaxhimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara.
Kryeministri ironizoi gjithashtu disa figura publike dhe influencues në rrjetet sociale, duke i kritikuar për standarde të dyfishta në raport me zhvillimin e vendit dhe mbrojtjen e mjedisit. Sipas tij, nuk mund të kërkohet zhvillim në vende të tjera turistike, ndërsa në Shqipëri të kundërshtohen investimet dhe projektet infrastrukturore.
Deklaratat e Ramës vijnë në një klimë të tensionuar politike dhe protestash qytetare, ku debati për zhvillimin ekonomik, mjedisin dhe projektet publike vijon të mbetet në qendër të vëmendjes.
