Kryeministri Edi Rama ka ritheksuar qëndrimin e tij lidhur me projektet zhvillimore në Zvërnec dhe Ishulli i Sazanit, duke deklaruar se ato nuk do të ndalen në asnjë rast.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u shpreh i vendosur për vijimin e investimeve, duke i cilësuar ato si projekte me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
“Projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi”, shkroi Rama.
Sipas tij, këto investime do të shndërrohen në modele të zhvillimit modern dhe të qëndrueshëm, duke kontribuar në forcimin e ekonomisë shqiptare dhe në rritjen e atraktivitetit të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota”, theksoi kryeministri.
Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur projektet në Zvërnec dhe Sazan kanë ngjallur debat publik dhe reagime nga grupe të ndryshme qytetare dhe ambientaliste, të cilat kanë shprehur shqetësime për ndikimin e tyre në mjedis dhe në zonat e mbrojtura natyrore. Qeveria, ndërkohë, këmbëngul se investimet do të realizohen në përputhje me standardet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së natyrës.
Postimi i plotë:
Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme. Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota.
