Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar se ky forum ka si objektiv kryesor ripërtëritjen e partisë dhe përgatitjen e saj për sfidat politike që e presin në vijim.
Në fjalën e tij para delegatëve, Berisha theksoi se PD ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të saj politik dhe se synimi kryesor mbetet rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe fitorja e opozitës.
“Kuvendi ka si qëllim ripërtëritjen e PD. Në kilometrin e saj të fundit si kusht themelor të realizojë rikthimin e vetë, rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe fitoren e opozitës”, u shpreh Berisha.
Ai nënvizoi se brenda partisë ekziston vullnet dhe besim i lartë për të çuar përpara objektivat e vendosura, ndërsa premtoi angazhim maksimal për zbatimin e vendimeve dhe premtimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar.
Sipas Berishës, drejtuesit dhe strukturat e Partisë Demokratike do të punojnë për të konkretizuar angazhimet e marra, me qëllim forcimin e partisë dhe përmbushjen e misionit të saj politik.
“Vullneti është i lartë, besimi i lartë, ndaj zotohem para demokratëve se me përkushtim të madh do bëjmë gjithçka që të kthejmë në vepra, të konkretizojmë premtimet e këtij Kuvendi, në mënyrë që PD të ecë e vendosur dhe të përmbushë misionin e saj”, deklaroi ai.
Kuvendi Kombëtar i PD-së u fokusua në diskutimet mbi organizimin e partisë, zgjedhjen e strukturave drejtuese dhe strategjinë politike për periudhën e ardhshme.
