SHQIPTARËT PUNOJNË MË GJATË SE EUROPIANËT, POR PRODUKTIVITETI MBETET NDËR MË TË ULTËT

SHQIPTARËT PUNOJNË MË GJATË SE EUROPIANËT, POR PRODUKTIVITETI MBETET NDËR MË TË ULTËT

Ndonëse Shqipëria renditet ndër vendet me produktivitet më të ulët në Europë, punonjësit shqiptarë rezultojnë të kenë një nga javët më të gjata të punës në rajon dhe më gjerë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, një punonjës shqiptar ka punuar mesatarisht 41.3 orë në javë gjatë vitit 2024, nga 41.6 orë një vit më parë. Për të punësuarit me pagë, orët totale të punës janë edhe më të larta, duke arritur në 43.6 orë në javë.

Ndërkohë, të dhënat e Zyrës Europiane të Statistikave për vitin 2025 tregojnë se në Europë kryeson Turqia me 42.8 orë pune në javë. Mali i Zi renditet i dyti me 42.3 orë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina ka 40.9 orë dhe Serbia 40.6 orë.

Në rajon, orët më të ulëta të punës regjistrohen në Maqedoninë e Veriut me 39.5 orë në javë. Për Kosovën nuk ka të dhëna zyrtare.

Brenda Bashkimit Europian, javët më të gjata të punës janë regjistruar në Greqi me 39.6 orë, e ndjekur nga Polonia dhe Bullgaria me nga 38.7 orë secila.

Në anën tjetër të renditjes qëndron Holanda me vetëm 31.9 orë pune në javë, si dhe Gjermania dhe Danimarka me nga 33.9 orë.

Produktiviteti mbetet shumë i ulët

Sipas një studimi të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, prodhueshmëria e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri është vetëm 29% e mesatares së Bashkimit Europian.

Një punonjës në një ndërmarrje të vogël ose të mesme shqiptare prodhon mesatarisht 14,924 euro në vit, ndërsa në bizneset e mëdha kjo shifër arrin në 19,645 euro.

Në vendet e Bashkimit Europian, prodhueshmëria është dukshëm më e lartë: rreth 52 mijë euro për punonjës në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe deri në 87 mijë euro për bizneset e mëdha.

Sipas raportit, ndërmarrjet e mëdha shqiptare kanë prodhueshmëri sa vetëm 22.6% e mesatares së Bashkimit Europian dhe renditen ndër më të dobëtat në rajon.

Në krahasim me vendet fqinje, Serbia kryeson me 31.4 mijë euro prodhueshmëri për person në bizneset e mëdha, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 27 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut me 21.6 mijë euro.

Të dhënat tregojnë se i gjithë rajoni i Ballkanit punon më gjatë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, ku java mesatare e punës për vitin 2025 rezulton 35.9 orë.

Burimi: Monitor

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *