Nga 1 Qershori, operatorët e transportit publik pritet të nisin përdorimin e sistemit POS/POI për kryerjen e pagesave elektronike, por kjo lëvizje mund të sjellë një rritje të ndjeshme të kostos për qytetarët që zgjedhin të paguajnë me kartë bankare.
Aktualisht, bileta e autobusit kushton 40 lekë, ndërsa sipas operatorëve të transportit urban, në rast se pagesa kryhet përmes terminaleve POS, qytetari mund të paguajë deri në 70 lekë për një udhëtim. Kjo për shkak të tarifave bankare dhe kostove shtesë të transaksioneve elektronike.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, vetëm tarifa fikse bankare për një transaksion arrin në 30 lekë, pa përfshirë komisionet përqindëse apo kostot e tjera operative që lidhen me përdorimin e sistemit elektronik të pagesave.
Ndërkohë, administrata tatimore ka njoftuar se deri më 30 maj, të gjitha bizneset që kryejnë shitje me para në dorë, përfshirë edhe sektorin e transportit publik, janë të detyruar të pajisen me terminale POS/POI.
Operatorët e transportit kanë ngritur shqetësime serioze mbi zbatueshmërinë e këtij procesi në kushtet aktuale, duke paralajmëruar se kostot shtesë mund të reflektohen drejtpërdrejt tek qytetarët.
