Një vatër zjarri ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një repart përpunimi baterish në Elbasan, duke shkaktuar panik dhe alarm te bizneset pranë zonës industriale.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer brenda repartit dhe janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga materialet e ndodhura në ambientet e brendshme të objektit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për të neutralizuar flakët dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit në repartet dhe bizneset përreth.
Në operacion janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, të cilët kanë punuar në kushte të vështira për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut nga materialet e depozituara brenda repartit.
Burime paraprake bëjnë me dije se shkaku i zjarrit dyshohet të ketë qenë një rrjedhje gazi nga një depozitë e vendosur në ambientet e repartit të përpunimit të baterive.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
