Redi Muçi ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit që qeveria shqiptare të reagojë për rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili sipas tij po mbahet peng nga autoritetet izraelite.
Gjatë fjalës së tij, Muçi deklaroi se Goxhaj është ndaluar së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë teksa transportonin ndihma humanitare drejt Gaza.
Deputeti kritikoi heshtjen e institucioneve shqiptare, duke theksuar se vende të tjera kanë reaguar për qytetarët e tyre në situata të ngjashme.
“Baki Goxhaj është marrë peng së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë duke çuar ndihma humanitare në Gaza. Ndërkohë që vende të tjera kanë reaguar, përse heshtim ne?”, deklaroi Muçi në Kuvend.
Ai kërkoi që autoritetet shqiptare të thërrasin ambasadorin e Izrael për të kërkuar sqarime mbi situatën.
Muçi ngriti gjithashtu akuza të forta politike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke përmendur raportet e tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Çfarë do të bënit nëse një shtetas shqiptar do merrej peng nga rusët apo iranianët? A jeni krenar që Rama shkoi në shtëpinë e Netanyahut dhe u përul përpara tij?”, u shpreh deputeti gjatë debatit parlamentar.
